Është e vështirë të jetosh në një territor që një ditë quhet shqiptar, e ditën tjetër serb. Është e vështirë që një ditë të zgjohesh dhe nëna të të thotë mirëmëngjes dhe kur del në rrugë dikush të përshëndet në serbisht. Është e vështirë të shkosh në shkollë dhe të mësosh në një gjuhë që nuk është vetëm e jotja, kur në fakt dëshiron të mësosh vetëm abetaren shqipe. Është e vështirë të jetosh në Luginë në shumë drejtime. Fëmijët e Luginës shpesh ndihen të lënë pas dore, madje edhe të përdorur për interesa politike. Rriten me ndjenjën se askush nuk mendon për ta. Por kjo nuk është e vërtetë. Iniciativa e fundit e FSHF-së për të organizuar një turne futbolli në Luginë, tregon se sa shumë e duam njëri-tjetrin ne shqiptarët.
Pavarësisht se ku jetojmë. Sipas informacioneve zyrtare, FSHF do të financojë mbi 20 mijë euro për këtë aktivitet, që përfshin jo vetëm mbulimin e të gjitha shpenzimeve organizative, por edhe sigurimin e bazës materiale për të gjithë fëmijët pjesëmarrës , si nga Lugina ashtu edhe nga diaspora. Një nismë e jashtëzakonshme që meriton duartrokitje. Jo vetëm për organizimin e një turneu futbollistik, por mbi të gjitha për mesazhin që u jep këtyre fëmijëve. Ata janë të rëndësishëm dhe mund të shpresojnë realisht që ëndrra e tyre një ditë mund të bëhet realitet. Një ditë ata mund të jenë “Gjimshitët” e Kombëtares shqiptare. FSHF nuk është thjesht një institucion. Është një urë që lidh shqiptarët, kudo që ndodhen. /Sport Ekspres/