“Festoi si Baloteli”! Mirlind Daku hyn në historinë e Rubin Kazani, në Rusi tregojnë sesi po trajtohet si Cristiano Ronaldo

“Festoi si Baloteli”! Mirlind Daku hyn në historinë e Rubin Kazani, në Rusi tregojnë sesi po trajtohet si Cristiano Ronaldo

Pas vështirësive, vjen lehtësimi!  Një thënie e tillë hyjnore mund të përshkruajë më së miri rastin e Mirlind Dakut. Një lojtar që kaloi shumë peripeci, ulje-ngritje të frikshme në pak kohë aq sa kjo histori e tij duhet të bëhet film. Në fillim pakkush e njihte, shumëkush e paragjykonte kur erdhi te Kombëtarja.

Menjëherë e tregoi veten me golin e shënuar ndaj Polonisë, duke bërë që të gjithë shqiptarët të kthejnë sytë nga Daku. Pas një kontributi të madh që dha për ta dërguar Shqipërinë në Europian, më pas Daku filloi të humbte pak nga forma e tij. Në Rusi nuk po shënonte dot dhe Silvinjo e ndëshkoi në miqësoret para Europianit duke mos e ftuar. Një alarm i madh, Daku rrezikonte të mbetej pa Europianin.

Mes frikës së madhe dhe tensionit, Daku shpërtheu te Rubin Kazani duke e marrë me “dhunë” ftesën e Silvinjos, ashtu siç duhet ta bëjë çdo lojtar kalibri, jo me deklarata. Ftesa për në Europian mbërriti dhe më shumë se të gjithë, edhe në videot e publikuara, dukej se festoi Daku nga lojtarët e Shqipërisë.

Më pas vjen momenti i Europianit që duhej të ishte pika kulmore e karrierës së tij. Por Daku nuk u aktivizua thuajse kurrë dhe pas ndeshjes me Kroacinë, doli skandali i tij me thirrjet kundër fqinjëve tanë, edhe kundër Serbisë.

E teksa luan në një ambient të tillë si te Rubin Kazani, pjesë e Rusisë, çdo lojtar tjetër mesatar apo nën mesatar, do t’i shkatërrohej karriera direkt si një dënim për atë që Daku bëri. Por fakti që Mirlindi është një lojtar i klasit të lartë te Rubini dhe i pazëvendësueshëm, bëri që klubi jo vetëm të mos e dënonte, por edhe ta mbështeste.

Madje ta mbështesnin edhe kur vetë presidenti i Federatës Ruse të Futbollit ndërhyri duke kërkuar dënimin për Mirlind Dakun. Tani sulmuesi ka rigjetur veten pas gjithçkaje që ndodhi duke shënuar lehtësisht dhe duke dhënë kontributin në çdo ndeshje. Por për të kuptuar vlerën reale të Dakut, mjafton t’ju kujtojmë shkrimin e fundit që vjen nga media ruse, “Sport Buissnes”.

“Daku hyri në historinë e Rubin Kazan. Pyetjen tonë: “Si do të luante Rubin Kazan pa Dakun”, nuk ka asnjë tifoz të Rubinit që do ta donte përgjigjen. Kjo pasi në sulm gjithçka lidhet me veprimet e shqiptarit. Ai krijoi golin e parë të Rubinit dje, shkoi përgjatë krahut, lëvizi, kaloi topin në qendër dhe mbrojtësi i Akronit, pra kundërshtari, dërgoi topin në rrjetën e tij. Golin e dytë, sërish Mirlindi.

E futi topin në portë në konfuzion pas një goditje këndi, fluturoi mbi vijë, vrapoi për të festuar duke hequr fanellën dhe duke treguar muskujt e tensionuar si Mario Baloteli në Europianin e 2012.

Sipas statistikave të Opta, Mirlind Daku bëhet lojtari që i ka siguruar më shpejtë 20 pikë Rubin Kazanit në gjithë historinë e klubit, duke marrë për bazë kontributin gol plus asiste. Daku e ka bërë këtë në 33 ndeshje, ndërsa rekordi mbahej nga Bibras Natcho, që i siguroi 20 pikë Rubinit me të njëjtin sistem, gol plus asiste, por në 48 ndeshje. Është e rëndësishme të kujtojmë se Daku po luan i dëmtuar.

Mirlindi u stërvit individualisht pjesën më të madhe të javës. Pas ndeshjes me Zenitin, Rakhimov madje tha se lojtari kishte probleme për shkak të lodhjes së trupit. Rakhimov do të ishte i lumtur t’i jepte pushim sulmuesit të tij kryesor, por ai nuk sheh një zëvendësim për të.

“Ne kemi një program të veçantë për Dakun. Kemi një fizioterapist shumë të mirë nga Spanja që e ndihmon. Por duhet të kuptojmë që Mirlindi nuk punon në grupin e përgjithshëm dhe nuk bën ushtrimet që po punohen. Po e fusim me injeksione vetëm për shkak të cilësive të tij individuale”, tha trajneri i Rubin Kazan, teksa shihet qartë se Daku në këtë skuadër trajtohet si të ishte Cristiano Ronaldo. /Sport Ekspres/