Presidenti i FSHF-së, Armand Duka është vlerësuar me çmimin e veçantë për arritje në UEFA dhe futbollin Kombëtar, në mbrëmjen Gala “Laureatët e Vitit” e organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Në shenjë respekti dhe mirënjohje, FFK ka nderuar me një çmim të veçantë Presidentin e FSHF-së, Armand Duka duke e vlerësuar për sukseset në arenën Europiane si Zv.President i UEFA-s dhe punën fantastike të bërë në FSHF me ekipin Kombëtar, që këtë edicion kualifikues arriti sërish një sukses historik, kualifikimi në Europianin “Gjermani 2024” dhe vendi i parë në Grupin E.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe Presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini i dorëzuan çmimin e veçantë Presidentit Duka në mbrëmjen Gala “Laureatët e Vitit”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka vlerësoi zhvillimin e futbollit në Kosovë duke veçuar skuadrën e Ballkanit që ka bërë mirë në arenën Europiane.
“Përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është si kurrë më parë, në të gjitha nivelet. Ky është një zhvillim i madh, që ndoshta dikush duke qenë nga afër nuk e sheh, por vërtet ka një përparim të madh. Ne jemi të nderuar me FC Ballkanin që na ka përfaqësuar neve si rajon në tërësi në Evropë. Ndërkohë, rezultatet e Kombëtares jo gjithmonë vijnë. Çdo humbje është leksion dhe do t’i shërbejnë të ardhmes dhe padyshim rezultatet do të vijnë patjetër edhe për Kombëtaren e Kosovës” – përfundoi kreu i futbollit shqiptar.