Shqipëria është shumë afër Botërorit! Kuqezinjtë kanë dalë në vendin e dytë të grupit dhe ka lënë pas vetes Serbinë. Një arritje shumë e madhe për Kombëtaren tonë e cila ka arritur në fazën e Play Off dhe vetëm dy ndeshje e ndajnë nga Botërori. Fillimisht do të ishte arritje e madhe historike për vendin tonë dhe e dyta, por jo më pak e rëndësishme, do të mbushte arkat në vlerë monetare të cilat do të investoheshin për futbollin në vend.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, FIFA po prezanton një revolucion dhe një skemë të re për të dhënë më shumë para si shpërblim. Për ta nisur që nga klubet që kanë lojtarët në Kombëtare, që do të marrin jo pak para. Secili nga 48 ekipet pjesëmarrëse do të marrë nga 9 milionë dollarë-13 milionë dollarë, pavarësisht se çfarë bënë gjatë turneut. Gjithashtu FIFA po mendon që të shpërblejë ekipet në rast barazimesh dhe fitoresh në grup. Në rast barazimi do të jepet 1 milionë dollarë, ndërsa në rast fitore, 2 milionë dollarë. Për të kuptuar ndryshimin, mediat e huaja kanë dhënë edhe rastin e Kroacisë. Kroacia në Botërorin e Rusisë arriti në finale në 2018 dhe përfitoi rreth 28 milionë dollarë, por nëse një ekip përsërit rrugëtimin e Kroacisë në Botërorin e këtij viti, do të fitonte rreth 50 milionë dollarë. /Sport Ekspres/