Klodian Duro, figura e njohur e Kombëtares Shqiptare, tani ka marrë një aventurë të re në karrierë. Sigurisht, jo më në futbollin e luajtur, ka kohë që ka ikur prej andej, por në trajnimin e një ekipi.
Pas disa aventurash në Shqipëri dhe te Gjilani, Duro rikthehet në Kosovë për të marrë një tjetër skuadër. Këtë herë do të jetë pjesë e Lirisë në Ligën e Parë të Kosovës, ndërsa njoftimi ka ardhur nga vetë klubi.
“Klodian Duro, mirësevjen te FC Liria
Një emër me peshë në futbollin shqiptar vjen në stolin tonë! Klodian Duro – ish-mesfushori legjendar i Kombëtares Shqiptare, me një karrierë të pasur si lojtar në Shqipëri, Turqi, Gjermani, Qipro, Austri – tani sjell përvojën e tij si trajner në Prizren.
Pas eksperiencave si trajner te Kukësi, Feronikeli dhe Gjilani, Duro vjen te FC Liria me vizionin për ta ngritur skuadrën aty ku e meriton.”, shkruan Liria.
Pas gati dy vitesh mungesë në futboll, Klodian Duro tashmë është rikthyer sërish në punë. Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare ka marrë drejtimin e Lirisë në Ligën e Parë të Kosovës. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/