Nga Xhevdet Zekaj
Takimi: Ditë e diel, kur të gjithë janë pushim dhe kanë nevojë për diçka argëtuese. Ora: 20:00, kur freskia do të zërë vendin e temperaturave disi të larta këto ditë. Lokacioni: Komoditeti luksoz i “Arena Kombëtare”, si një “teatër” që duhet të bëjë bashkë të gjithë opinionin futbolldashës shqiptar në finalen përmbyllëse të sezonit kombëtar futbollistik.
Sa shumë “valenca” të tilla mund të rendisim për të thënë se finalja e “final four”, e cila do të luhet më 26 maj mes Egnatias dhe Partizanit, meriton të kthehet në festë të madhe futbollistike. Kjo ndeshje duhet parë kështu, si festë, jo vetëm për dy klubet në fjalë, dy tifozëritë respektive, që me siguri nuk do të mungojnë, por për krejt ata që mbështesin futbollin e bukur.
Skuadra e Tetovës dhe Shehit i kanë dhënë tonin këtij kampionati dhe me të drejtë do të diskutojnë titullin kampion të dielën. Futbolli i tyre, përveçse rezultativ, është argëtues, joshës për t’u parë. Kësisoji, do të ishte mëkat që adhuruesit e futbollit të bukur të mos jenë në stadium. Biletat kanë dalë tashmë në shitje, ndaj nuk duhet humbur si mundësi për të përjetuar një të diel ndryshe, ku argëtimi dhe rivaliteti sportiv do të jetë i sigurt.
Pra, të gjithë jemi sy e veshë nga epilogu i “final four”, që sportivisht ka logjikën e 36 javëve kampionat. Në finalen e 26 majit, ku do të vendoset titulli kampion, kanë dalë dy skuadrat më të mira, që i mbyllën në vendin e parë dhe të dytë katër fazat e rregullta të kampionatit. Deri këtu, qoftë edhe duke u bazuar te ky fakt, nuk ka asgjë për t’u habitur, por vetëm yshtur për të qenë njëri nga fatlumët në “Arena Kombëtare” dhe përcjellë nga afër këtë supersfidë. Egnatia dhe Partizani, dy skuadrat që i dhanë tonin Superiores, do të “përplasin brirët” në “Arena Kombëtare”, për të shpallur kampionin e ri të vendit.
Në finale thuhet se nuk ka favoritë, por kjo përballje duhet konsideruar më shumë se kurrë e ekuilibruar, çka e shton dozën e adrenalinës te të gjithë. 36 javët e kampionatit, rrogozhinasit dhe të kuqtë i mbyllën në të njëjtën “gjatësi vale”, me nga 63 pikë. Egnatia u pozicionua e para falë sfidave direkte. Golaverazhi më i mirë në total foli për kampionët e vendit ende në fuqi. Më konkretisht, skuadra e Edlir Tetovës, pas 4 fazave regjistroi golaverazhin +13 (51 gola të shënuar dhe 38 gola të pësuar). Në anën tjetër, Partizani e mbylli me golaverazhin +22 (51 gola të shënuar dhe 29 gola të pësuar).
Katër përballjet e këtij kampionati mes dy finalistëve të “final four” kanë prodhuar thuajse barazpeshë të plotë: 1 fitore të Egnatias, 1 fitore të Partizanit dhe 2 barazime. 5 gola ka shënuar skuadra rrogozhinase dhe 4 gola të kuqtë. Pra, pothuajse një ekulibër i plotë.
Pra, sikurse shihet, tri ndeshje janë ndarë me barazimin e njëjtë 1-1, vetëm ajo e fazës së katërt shkoi në favor të Egantias. Pikërisht kjo fitore bëri që në fund, skuadra e Tetovës të pozicionohej e para në klasifikim, falë rekordeve më të mira në përplasjet direkte. Në duelet mes Egnatias dhe Partizanit bien në sy tre lojtarë, që kanë shënuar nga dy gola: Bintsouka dhe Skuka për të kuqtë, si dhe Montenegro për rrogozhinasit. Ama, duhet kujtuar se kostarikani ka vetëm prej janarit që luan tek Egnatia, pra pothuajse dy faza.
Tashmë është radha për ta prishur këtë ekuilibër gati perfekt në finale e 26 majit, e cila duhet thënë se vlen sa i gjithë sezoni. Ndaj nuk duhet humbur kurrsesi nga tifozët e të gjitha ngjyrave, që mbi të gjitha janë adhurues të futbollit të bukur. Nëse Egnatia e ka dërguar tashmë në shtëpi Kupën e Shqipërisë për këtë edicion, të dytin radhazi, si objektiv është edhe titulli kampion. Kryesimi me meritë i pothuajse të gjithë kampionatit, duke shkuar edhe deri +11 pikë nga vendi i dytë në një moment të Superiores, bën këdo të thotë se “haka duhet të shkojë tek i zoti”. Megjithatë, në finale kurrë nuk i dihet, vendosin detajet, gjendja momentale fizike e psikologjike e skuadrave, jo çfarë ke bërë gjithë sezonin.
Nga ky këndvështrim, trajneri Edlir Tetova me të drejtë tha pas sigurimit të finales, duke likujduar Vllazninë, se shanset për titull janë 50 me 50. Ashtu sikurse janë në fakt, pothuajse edhe statistikat e përballjeve mes rrogozhinasve e të kuqve në këtë kampionat. Atëherë, kush do ta bëjë diferencën më 26 maj? Oreksi i futbollistëve në fushë, strategjia e stafeve teknike, mbështetja e tifozërive, dëshira për “hakmarrjen” e finales së Superkupës tek Egnatia…?
Fusha e blertë do ta tregojë, nën gjykimin e anglezit të njohur Anthony Taylor. Një tjetër përmasë kjo për një finale vërtet europiane, mes dy skuadrave që me siguri kanë për të thënë shumë edhe në Kupat e Europës, në vazhdim.
Ja 4 përballjet mes Egnatias dhe Partizanit në këtë kampionat:
17.09.2023
Partizani-Egnatia 1-1
(A.Bintsouka 6′ / Fernando Medeiros 22′ )
23.11.2023
Egnatia-Partizani 1-1
(R.Malota 10’ / A.Bintsouka 13′ )
03.02.2024
Partizani-Egnatia 1-1
(Xh.Skuka 90′ / S.Spahiu 59′ )
13.04.2024
Egnatia-Partizani 2-1
(J.Montenegro 14′, 30’ / Xh.Skuka 80′)