Në ditën e sotme është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme Zgjedhore për vitin 2026. Aty është votuar sa i përket presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe njëkohësisht për Komitetin Ekzekutiv. Në fillim është votuar sa i përket kreu të FSHF. Një garë e fituar nga Armand Duka, i cili konfirmohet edhe njëherë si president i Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe për katër vitet e ardhshme. Sipas ligjit dhe rregullit, në momentin kur ka një kandidat për këtë post, votimi në Asamble mund të bëhet edhe i hapur.
Në Asamble vendosën që votimin për kreun e FSHF të bëhej i hapur dhe më pas në votim të plotë, pa asnjë kundërshti, është zgjedhur që Armand Duka të jetë sërish president. Menjëherë pas këtij vendimi, Duka u shpreh: “Besoj se kam folur mjaftueshëm, nuk dua t’iu marrë kohë. Dua t’iu falenderoj nga zemra për mbështetjen që më keni dhënë mua. Kjo nuk është thjesht mbështetje, është një përgjegjësi e madhe. Iu premtoj që ne do të bëjmë maksimumin që të jemi në nivelet maksimale për vitet e ardhshme. Uroj që ne të jemi pjesë e Botërorit, suksese Silvinjos dhe Kombëtares”, tha Duka. /Sport Ekspres/