Shqipëria do të luajë në qershorin e ardhshëm Europianin e dytë në historinë e saj. Interesimi për kuqezinjtë është i lartë, teksa pritet të jetë një nga 3 Kombëtaret me mbështetjen më të madhe nga tifozët në Gjermani. Igli Tare ka thënë gjatë një interviste të tij për “Kicker” se tifozët shqiptarë janë paqësorë dhe se kanë për të fituar një simpati të madhe në Euro 2024.
“Jam 100% i bindur që Gjermania do të jetë një nga katër ekipet që do të luftojnë për titullin në Kampionatin Europian, së bashku me Spanjën, Francën dhe Italinë. Mentaliteti është i rrënjosur thellë dhe do të mbizotërojë përsëri në një turne në shtetin tuaj.
Shqipëria do të jetë një pasurim për turneun. Ndoshta do të fitojë edhe simpatinë më të madhe në Gjermani, në fushë dhe në tribuna. Tifozët janë jashtëzakonisht entuziastë, fanatikë në një aspekt pozitiv. Absolutisht paqësorë. Fjala “huligan” as që ekziston në Shqipëri”, ka thënë Igli Tare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/