Ilir Alliu ishte i ftuar në emisionin “Max Sport” që transmetohet në “EuroNews Albania”, ku foli sa i përket ndeshjes së Kombëtares me Serbinë. Një ndeshje që përfundoi 0-0, ndërsa Alliu ka komentuar pjesën e futjes së Armando Brojës si sulmuesi i krahut.
“Për mua i kemi larë duart me kualifikimin. Kam parë formacionin e Kombëtares të pallogjikshme për një trajner futbolli, më vjen keq, unë shoh veprimet. Dëgjova një argument dje që ishte i pasinqertë dhe i ndyrë, të futësh një sulmues si lojtar krahu, të konsumon më shumë fizikisht.
Silvinjo doli dje dhe tha që Broja ka kohë pa luajtur dhe nuk ka minuta, kishte lodhje dhe ti e fut në rolin e krahut që të konsumon më shumë? Broja të jep epërsinë numerike, është i vetmi sulmues që ne kemi, për të lënë kundërshtarët pas krahëve. Nëse nuk di edhe këtë Silvinjo, nuk e di se çfarë të them. Futi Manajn që ka karakter të vështirë, që kishte tre ditë me temperaturë, e fut si qendërsulmues dhe prish dy vende në formacion”, tha Alliu. /Sport Ekspres/