Flamurtari ka marrë një fitore të madhe në ditën e sotme duke mundur Vllazninë në shifrat 1-0. Një gol i shënuar me penallti nga Marku në minutën e 76 vendosi takimin, ndërsa vetë lojtari nuk e festoi këtë gol.
Megjithatë te vlonjatët kanë shumë për të festuar pasi morën fitoren e parë në kampionat pas plot 9 javësh. Deri tani vlonjatët kishin numëruar vetëm dy pikë në renditje, pas dy barazimeve, ndërsa tani shkojnë në kuotën e 5 pikëve pasi mundën vendin e parë në Superiore.
Një fitore duke përdorur edhe truket e errëta pasi në fundin e takimit pati shumë pak lojë efektive, mes hedhjeve të vazhdueshme të dy topave në fushë, shtrirjes së lojtarëve dhe situatave të ngjashme që ulën jo pak ritmin e ndeshjes. Vllaznia e tentoi deri në fund barazimin, por Flamurtari doli në fund me tre pikë. /Sport Ekspres/