Rei Manaj ishte njeriu që i dha fitoren Shqipërisë kundër Andorrës. Kuqezinjtë fituan me shifrat 3-0, ku 2 golat e parë që vendosën fatin e takimit mbajnë autorësinë e tij. Pas përfundimit të ndeshjes ai ka deklaruar se plani i tyre ishte që të gjenin rrugën e rrjetës brenda 10 minutave të para. Një plan që shkoi me sukses, pasi goli i parë i sfidës u shënua në minutën e 9 të saj.
“Ishte e rëndësishmë që të ktheheshim në shtëpi me 3 pikët. Andorrën e dimë që është një ekip që rri ngjitur pas topit dhe është e veshtirë të penetrosh brenda me topin. Folëm që në stërvitjen e djeshme që duhet ta gjenim golin në 10 minutat e para, në mënyrë që të ishte loja pak më e lehtë. Asllani dha një super top dhe falë Zotit dolëm 1-0. Jam i kënaqur për të gjithë lojtarët. Për Shehun që e kishte ndeshjen e parë, për çunat e rinj si Pajaziti, si dhe për rikthimin e Brojës dhe rikthimin e Uzunit me gol. Asllani bëri një super ndeshje. Ndeshja me Serbinë nuk ka nevojë për motivim. Tani do të kthehemi nëpër klube dhe në qershor do të mendojmë për të”, ka deklaruar Rei Manaj./Sport Ekspres/