FSHF sjell për herë të dytë në Shqipëri programin e UEFA-s “Certificate in Football Managment”

Federata Shqiptare e Futbollit do të mirëpresë në muajin shtator në Shqipëri edicionin e radhës të programit  “Certificate in Football Managment” (UEFA CFM) në bashkëpunim me UEFA Academy dhe Universitetin e Lozanës. Bëhet fjalë për një program të domosdoshëm për këdo që punon në një organizatë futbollistike, qoftë ajo Federatë apo klub futbolli e që dëshiron të rrisë nivelin e menaxhimit dhe performancës.

Ky certifikim në menaxhim futbolli ofrohet nga UEFA për përfaqësuesit e federatave anëtare si edhe për përfaqësues të futbollit në nivele të ndryshme. Në këtë edicion, pjesëmarrësit do të jenë jo vetëm nga FSHF dhe klubet shqiptare, por nga disa vende të Europës, të cilët do të marrin leksione nga përfaqësues të UEFA Academy dhe Universiteti i Lozanës. CFM organizohet në tre seminare direkte me pedagogë në auditor dhe 6 module për kandidatët zhvillohen në e-learning në lidhje me organizimin e futbollit, menaxhimit strategjik dhe operativ, sponsorizimet, marketingu, komunikimi dhe media, eventet dhe menaxhimi i vullnetarëve.

Kjo është hera e dytë në fakt që FSHF mirëpret programin e CFM, teksa ka qenë organizatore e një prej edicioneve të programit në vitin 2022. Një besim dhe një përgjegjësi e madhe për FSHF që vlerësohet për rritjen e vazhdueshme që ka pasur vitet e fundit në drejtim të menaxhimit.

Federata Shqiptare e Futbollit është kthyer në një nga partnerët më të ngushtë të UEFA-s, teksa bashkëpunimet kanë qenë të shumta, serioze dhe mjaft të rëndësishme. Mjafton të përmendet organizimi i finales së parë dhe historike të UEFA Conference League në Shqipëri në maj të vitit 2022, mbledhja e Komisionit Hattrick në shtator të vitit 2022, mbledhja e 11 federatave juglindore në prill të vitit 2024, mbledhjen e “Grassroots Football Panel”në maj të vitit 224 dhe shumë turne zhvillimorë e mini-turne kualifikues për Kampionatet Europianë të moshave U-17 dhe U-19.