Viti 2025 do ta vendosë Shqipërinë sërish në qendrën e vëmendjes së mediave dhe opinionit publik në mbarë Europën. Kjo për shkak të finaleve të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” që do të zhvillohen në vendin tonë.
Ndeshjet e raundit të parë të këtij kompeticioni janë luajtur dhe janë përcaktuar ekipet që kanë kaluar në Elite Round. Nga ana tjetër, Federata Shqiptare e Futbollit po punon çdo ditë që deri në muajin maj kur do të organizohen edhe ndeshjet finale, çdo gjë të jetë gati për këtë event.
Ashtu siç është bërë me dije, stadiumet janë përcaktuar tashmë, si edhe fushat ku do të stërviten ekipet dhe hotelet ku do të qëndrojnë. Një nga stadiumet ku do të luhen ndeshjet finale është “Egnatia Arena”, ku FSHF po investon në sistemin e ndriçimit, në pajisjen me led perimetral, në punimet e tribunave dhe në pajisjen me stola të stadiumit.
Pak ditë më parë, përfaqësues të Federatës së Futbollit zhvilluan një takim me përfaqësues të Bashkisë së Rrogozhinës në kuadër të finaleve të Europianit 2025.
Përfaqësuesit e Bashkisë u shprehën të gatshëm që të mbështesin investimet në infrastrukturë, si edhe të jenë ndër promotorët kryesorë të turneut dhe të sigurojnë edhe pjesëmarrjen e sa më shumë tifozëve në shkallët e stadiumit përmes politikave të ndryshme.