FSHF TV nis rrugëtimin me emisionin “Në Shtëpinë e Futbollit”, Presidenti Duka: Një projekt që do të afrojë më shumë futbollin shqiptar me publikun

Federata e Futbollit nisi sot një kapitull të ri në komunikimin me publikun përmes kanalit të saj të dedikuar FSHF TV, që solli në ekran emisionin e parë me titull “Në Shtëpinë e Futbollit”, nën drejtimin e Lenida Halilaj.

Në këtë premierë televizive, të ftuar në studio ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Drejtori i PR dhe Komunikimit në FSHF, Fatjon Kodra, specialisti i futbollit Florian Riza dhe Drejtori i SuperSport, Ylli Aga. Një panel që përmes diskutimeve solli vizionin e ri të futbollit shqiptar dhe rolin që FSHF TV do të ketë në këtë drejtim.

Në fjalën e tij, Presidenti Duka e cilësoi hapjen e kanalit si një domosdoshmëri të kohës dhe një instrument të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit në vend.

E para, dua të uroj të gjithë stafin si fillim të ri të iniciativës së televizionit. Të uroj ty për drejtimin për herë të parë në këtë televizion të Federatës së Futbollit. Idenë e solli koha. Gjërat në vitet e fundit kanë ndryshuar shumë dhe shumë gjëra janë bërë të domosdoshme për të komunikuar sa më mirë, për të pasqyruar dhe për të arritur objektivat finalë që ka ky institucion, pra zhvillimin e futbollit në vend, rritjen e numrit të futbollistëve. Duhet të tregosh sa më shumë aktivitetet, të tregosh sa më shumë shembuj pozitivë dhe të pasqyrosh të gjithë aktivitetin, te cilin nuk ke mundësi ta pasqyrosh në kanalet e tjera zyrtare. Nuk besoj që vetëm nëpërmjet televizionit do të arrijmë objektivin final të futbollit shqiptar, por është një nga armët e rëndësishme të komunikimit dhe ky televizion e plotëson akoma më shumë komunikimin e komunitetit të futbollit në Shqipëri me publikun”.

Duke folur për vizionin afatgjatë të këtij projekti, Presidenti Duka theksoi se FSHF TV nuk është vetëm një kanal transmetimi, por një platformë e gjerë për prodhimin e përmbajtjeve, që do të pasqyrojnë çdo aspekt të futbollit shqiptar, nga ndeshjet e kampionateve, te futbolli amator, vajzat, e deri te projektet zhvillimore.

Kjo nuk është një shpikje shqiptare. Padyshim që e kanë shumë institucione të tjera dhe të futbollit në Europë, klube sportive, pothuajse të gjithë klubet e zhvilluara. Për federatat është akoma më i domosdoshëm që i shërben më shumë. Mendoj që ajo që transmetohet sot për publikun, ajo që i vihet në dispozicion publikut nga kanalet zyrtare të televizionit është vetëm “maja e ajsbergut” e aktiviteteve reale që zhvillon FSHF. Transmetohen live apo me ritransmetime në televizion maksimumi 5-6 ndeshje në javë, në një kohë që në Shqipëri zhvillohen rreth 500–600 ndeshje në javë duke marrë edhe futbollin amator, pse jo këtë nëpërmjet këtij televizioni ta transmetojmë. Do fillojmë me një numër të kufizuar, më vonë duke e shtuar sepse ky është një projekt, nuk është thjesht një kanal televiziv, është një projekt për prodhimin e kontentit për këtë televizion, për të prodhuar kontentin e futbollit amator dhe futbollit të vajzave të cilët pak promovohen në televizion dhe për t’u plotësuar akoma më tej me zhvillimet e kohës. Është pasqyra e aktiviteteve që bën FSHF, apo që bën futbolli shqiptar në përgjithësi. Siç e thashë, nuk është një shpikje shqiptare, por është ndjekje e eksperiencës më të mirëve”.

Presidenti i FSHF-së nënvizoi se ky është një projekt i menduar në detaj, i cili do të gjenerojë burime për të mbajtur veten financiarisht, duke shtuar mundësi bashkëpunimi me sponsorët dhe duke krijuar një platformë moderne komunikimi.

Ky është një projekt sepse fillon me televizionin, me kamerat robotike në të gjithë ndeshjet. Projekti është që ne të regjistrojmë të gjitha ndeshjet dhe t’i transmetojmë jo live sepse është vetëm një kanal dhe në të ardhmen mund të shtohen, por edhe me transmetim. Është një projekt shumë i madh financiar. Projekti është menduar bashkë me buxhetin. Ky televizion dhe i gjithë ky projekt do prodhojë edhe financa për të mbajtur veten, për të zhvilluar futbollin. Do t’i shërbejë sponsorëve tanë. Do shtojë numrin e sponsorëve, do shtojë shërbimin tonë për sponsorët, pse jo edhe mjete të tjera komunikimi ekonomike për ta përballuar financiarisht projektin. Por, kur është menduar hapja e këtij televizioni, është menduar edhe për faktin që një ditë mund të jetë edhe transmetuesi i kampionatit shqiptar, nëse tregu nuk kënaq interesat e klubeve, sepse në fund të fundit dihet që kampionati “Abissnet Superiore” krijon të ardhura për klubet. Nëse tregu nuk i kënaq dhe ne arrijmë ndonjë formulë transmetimi nëpërmjet televizionit, pse jo. Por që nga dita e parë ka të drejtën që të ritransmetojë ndeshjet e kampionatit shqiptar, arkivë që ne tashmë e kemi pasqyruar goxha dhe do të vazhdojmë ta pasqyrojmë, por edhe të Kombëtares shqiptare që ne e kemi me të drejtë nga institucionet ndërkombëtare që ta ritransmetojmë në Shqipëri. Kryesisht do të fillojmë me ritransmetimet, por në të ardhmen pse jo edhe me transmetime kampionati, apo të kampionateve siç e thashë”.

Në fund të intervistës, Presidenti Duka ftoi që studioja e FSHF TV të shndërrohet në një hapësirë për të rinjtë dhe të rejat që duan t’i bashkohen botës së futbollit, duke e quajtur këtë një mënyrë për të afruar brezat e rinj me sportin. Gjithashtu, ai komentoi edhe ndeshjen Serbi – Shqipëri, që do të luhet këtë të shtunë në Leskovac, më 11 tetor, në orën 20:45.

Para se të iki, doja të thoja që sa më shumë që ta vendosni studion në dispozicion të të rinjve dhe të rejave që i bashkohen lojës tonë, që e kanë pasion futbollin dhe të ftojnë bashkëmoshatarët e tyre për të qenë në futboll. Padyshim që historia dhe nostalgjia janë të rëndësishme, por e ardhmja është akoma më e rëndësishme.

Ndeshje shumë e rëndësishme në këndvështrimin sportiv, nuk mund ta lëmë mënjanë që ka edhe ngarkesë në atmosferë. Dje ne kemi pasur një takim me ekipin dhe ajo që i kemi kërkuar ekipit, dhe kemi besim te ekipi, është që të ketë një përqendrim dhe qetësi sportive. Është shumë e rëndësishme sepse të dyja skuadrat presin tre pikë nga kjo ndeshje për të vazhduar rrugëtimin për “play-off”. Ta vazhdojë udhëtimin ajo skuadër që të jetë më e qetë, që di ta vlerësojë sportivisht ngjarjen dhe mos ta ngatërrojë me ngarkesa të tjera që janë të pashmangshme në fakt. Unë uroj që Serbia ta ketë këtë ngarkesë akoma më shumë se ne. Kam shumë besim te ekipi jonë. Ne kemi një ekip të mirë dhe që di të përballet me çdo lloj kundërshtari. Kam shumë besim që mund të bëjmë një rezultat pozitiv në Serbi, duke pasur parasysh vështirësinë e madhe dhe cilësinë që kanë kryesisht futbollistët serbë, jo skuadra serbe”.