Armando Broja nuk u aktivizua për asnjë minutë në përballjen e sotme kundër Liverpool-it. Mungesa e tij në fushë ka ngritur dyshime për një largim të mundshëm nga Chelsea. Mediat britanike kanë raportuar se Fulhami është në negociata me blutë e Londrës dhe ende beson për një transferim të sulmuesit shqiptar. Pochettino është pyetur në konferencën për shtyp pas ndeshjes nëse do të ketë largime në ditën e fundit të merkatos. Trajneri i Chelsea-t është përgjigjur se momentalisht nuk ka asnjë të re në merkaton dalëse, por nuk e përjashton mundësinë se ditën e nesërme mund të ketë lëvizje.
“Nuk e di. Për momentin nuk kam dëgjuar asgjë. Gjithçka është qetësi. Të shohim ç’do të ndodhë nesër, është dita e fundit (e transferimeve). Gjëra mund të ndodhin. Por deri më tani nuk ka asgjë. Ka gjëra që ndodhin në momentin e fundit. Le ta quajmë suprizë ose jo, ne duhet të jemi të vëmendshëm. Ajo që mund t’ju them është se për momentin asgjë nuk po lëviz”, ka deklaruar Mauricio Pochettino./Halit Delibashi-Sport Ekspres/