Futbolli i vajzave dhe politikat gjinore që ndjekin federatat e shteteve europiane u diskutuan në Hamburg Sport Summit, një aktivitet që zhvillohet për të tretin vit radhazi në këtë qytet. Përfaqësuese e Shqipërisë në këtë Samit me temën “Building a diverse future for sports” ishte Anila Basha, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, njëkohësisht kryetare e komisionit të futbollit të vajzave në Shqipëri.
Anila Basha u ftua nga drejtuesit e Samitit për të folur për futbollin e vajzave në Shqipëri, si një rast i suksesshëm në përpjekjet që bëhen në UEFA për të zhvilluar më tej këtë sport.
Drejtuesja e panelit e nisi diskutimin me prezantimin e zonjës Basha, si e para grua e zgjedhur në forumin më te lartë qeverisës të futbollit në Shqipëri dhe kërkoi të dinte më shumë se cilat ishin hapat konkretë të ndërmarrë në vend për futbollin e vajzave.
“Ne e dimë se nuk është e thjeshtë të dalësh kundër rrymës apo zakoneve të trashëguara. Por Federata Shqiptare e Futbollit, me ndihmën e UEFA dhe FIFA, ka miratuar nëntorin e kaluar strategjinë “Rising Stars” për futbollin e vajzave, e cila në fakt është pjesë e strategjisë kombëtare “Futbolli për Kombin 2022 – 2025”.
Kemi identifikuar terrenin dhe problemet, ndërkohë që po zhvillojmë politikat tona sportive në disa drejtime: së pari, shtrirjen në një bazë të gjerë të futbollit të moshave dhe fëmijëve në shumë shkolla fillore në vend.
Projektet si “Playmakers”, “UEFA championship for Girls”, “Fifa Football4School” apo “TDS” janë një mbështetje e madhe për zgjerimin e futbollit te fëmijët dhe gjetjen e talenteve”, – u shpreh anëtarja e KE.
“Në lidhje me futbollin kombëtar, FSHF jep mbështetje financiare dhe krijon premisat e duhura për organizim të rregullt të kompeticioneve. Sa i përket kombëtares shqiptare, ajo konkurron në gjitha kompeticionet ndërkombëtare të të gjitha niveleve dhe FSHF krijon kushtet dhe mbështetjen për një performancë sa më të mirë të ekipeve tona të vajzave”, – tha Anila Basha para të pranishmëve në Samit.
Në vijim, fokusi i diskutimit u orientua në politikat gjinore që FSHF-ja ndjek në Shqipëri, për të cilat znj. Basha u shpreh se punohet në disa drejtime.
“Ne punojmë në tre drejtime në politikat e barazisë dhe diversitetit në futboll, duke filluar nga organizata jonë. Struktura organizative e FSHF përbëhet nga 120 punonjës, ku 40 prej tyre janë gra, të cilat punojnë në departamente të ndryshme. Në nivel menaxherial, gjysma e drejtuesve të departamenteve në FSHF janë gra”, – tha Anila Basha.