Futbolli shkon në plan të dytë! Ernest Muçi kërkon të mos largohet nga Beshiktashi, do fokusohet te familja dhe lindja e binjakëve të tij

Një talent i madh që do të shuhet shpejt! Ernest Muçin shpesh e kemi konsideruar si talentin më të madh të nxjerrë nga toka shqiptare në këto vitet e fundit, por për fat të keq, mungesa e punës dhe e vazhdimësisë, ka bërë që Muçi të ketë luhatje të madhe të performancave të tij.

Ndeshja e tij e fundit në performancë të lartë daton në Europa League kundër Atletik Bilbaos, përpara shumë kohësh dhe prej atëherë, nuk është ngritur në të njëjtën lartësi. Shpeshherë e gjen veten në stol te Beshiktashi, por një lajm që po qarkullon në mediat turke dhe polake nënkupton mbylljen e parakohshme të shpresave se Ernest Muci do të luajë një ditë në top 5 kampionatet më të mira në Europë.
Transfery.info, media polake, shprehet se sipas burimeve që vijnë nga Turqia, edhe pse Muci nuk është pjesë kryesore e projektit të Beshiktash, i ka kërkuar klubit që të mos largohet.

Kjo pasi ai është në pritje të lindjes së binjakëve të tij dhe dëshiron të fokusohet më shumë te familja, gjë që do ta kishte të vështirë në një rast transferimi. Zakonisht veprime të tilla vijnë nga lojtarët që janë në fund të karrierës së tyre, ndërsa një rast i kundërt ishte ai i Pep Guardiolës i cili u nda nga bashkëshortja për shkak të kohës së madhe dhe “fiksimit” që kishte me futbollin. /Sport Ekspres/