Skema e Final Four ka hasur kritika të herë pas hershme sepse i heq emocione shumë ndeshjeve në elitën e futbollit tonë, veçanërisht ato të javëve të para. Por tani vijmë në pjesën ku Final Four e ndez më shumë se kurrë kampionatin dhe nga 10 ekipe, vetëm tre prej tyre konsiderohen si pa objektiva, Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo.
Pavarësisht se objektivi është edhe aty për vendin e parë dhe më pas për vazhdimin, themi kështu pasi motivimi i tyre është më i vogël krahasuar me 7 ekipet e tjera. Partizani dhe Elbasani po luftojnë për biletën e fundit në Final Four, ndërsa gjithë pjesa tjetër për të mos rënë nga Kategoria.
Laçi humbi me Teutën në javën e kaluar 1-0 dhe tani mban vendin e fundit. 3 pikë më pak nga Tirana e vendit që do ta dërgonte në Play Out kur kanë mbetur edhe 2 ndeshje, janë shumë pak dhe shumëkush e sheh Lacin të rënë duke parë renditjen pasi mban vendin e fundit.
Një Laçi që në vitet e fundit jemi mësuar ta shohim jo vetëm në Europë, por edhe duke na bërë krenar me rezultatet atje për të mbajtur flamurin e Superiores. Megjithatë duke parë më në detaje situatën, pamja mund të ndryshojë shumë shpejt.
Kurbinasit kanë një fat të madh me kalendarin në dy ndeshjet e fundit teksa krahasuar me me 4 ekipet e tjera që luftojnë për të mos rënë, janë e vetmja skuadër që dy ndeshjet e fundit i kanë me 3 skuadrat e sipërpërmendura që kanë më pak motivim.
Në fillim Laçi luan me Dinamon dhe më pas me Vllazninë. Kështu kurbinasit kanë evituar finalet direkte dhe mund të shohin sadopak dritë pasi shpeshherë në futboll fiton ekipi që e dëshiron më shumë fitoren dhe duke parë këtë moment të Lacit dhe të Dinamos me Vllazninë, padyshim që janë kurbinasit që e dëshirojnë më shumë fitoren se kundërshtari. E gjitha kjo do ta bëjë akoma edhe më të paqartë situatën e vendeve të fundit. /Sport Ekspres/