Genti Mahmuti flet si trajner i ekipit kombëtar U-15: Synimi ynë është të rrisim cilësinë e futbollistëve të vegjël

Genti Mahmuti është zyrtarizuar si trajneri i ri i ekipit kombëtar U-15. Tekniku 52-vjeçar rikthehet sërish në pankinën kuqezi pas eksperiencave të mëparshme si zëvendëstrajner i ekipeve kombëtare U-19 dhe U-21.

Në një prononcim të shkurtër për fshf.org, trajneri Mahmuti ndihet i kënaqur dhe i vlerësuar për rikthimin si trajner kuqezi.

“Është kënaqësi dhe nder që rikthehem përsëri në Federatën e Futbollit, i angazhuar si trajner i ekipit kombëtar. Në radhë të parë dua të falënderoj Presidentin Armand Duka për mundësinë dhe vlerësimin duke më afruar sërish në gjirin e ekipeve kombëtare. Gjithashtu edhe drejtorin teknik për mundësinë e bashkëpunimit me të.

Ndihem i vlerësuar që jam trajner i kombëtares U-15. Do të jap maksimumin në këtë detyrë të re. Puna me fëmijët është sa e bukur, por njëkohësisht e vështirë sepse fëmijët kërkojnë një përkushtim të jashtëzakonshëm si nga ana psikologjike, por edhe në anën tekniko-taktike”.

Tekniku shqiptar tregon edhe planet dhe objektivat për të ardhmen në krye të ekipit kombëtar U-15. “Ky projekt karakterizohet nga puna jonë e përditshme dhe synimi është rritja dhe zhvillimi i cilësive të fëmijëve. Të mundohemi që ata të shkojnë sa më lart në ekipet e tjera zinxhir kombëtare” – thotë trajneri Genti Mahmuti për fshf.org.

Përveç ekipit kombëtar U-15, Genti Mahmuti do të jetë edhe një nga trajneri i grupmoshës së datëlindjes 2011 në akademinë “Elite Youth”.