Federata e Futbollit ka arritur marrëveshjen me trajnerin Genti Mahmuti, i cili do të marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare U-15.
Mahmuti rikthehet në strukturat kuqezi pas eksperiencës së mëparshme si zëvendëstrajner i ekipeve kombëtare U-19 dhe U-21 gjatë viteve 2012–2016. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e stafit të Partizanit, Dinamos dhe shkollës sportive “Loro Boriçi”.
Tekniku kuqezi ka firmosur një kontratë 2-vjeçare dhe do të drejtojë skuadrën U-15 në ndeshjet miqësore dhe ato zyrtare.
Gjithashtu, Mahmuti do të jetë një nga trajnerët përgjegjës në akademinë e FSHF-së, “Elite Youth Academy”. Më konkretisht ai do të jetë trajneri i grupmoshës së datëlindjes 2011.
“Elite Youth Academy” është një nga projektet më ambicioze të Federatës Shqiptare të Futbollit, që synon të ndërtojë një strukturë të qëndrueshme dhe moderne për identifikimin, edukimin dhe zhvillimin teknik të talenteve më premtues në moshë të hershme. Me staf të specializuar, metodologji të unifikuar dhe mbështetje gjithëpërfshirëse, ky projekt përfaqëson një hallkë kyçe në vizionin afatgjatë të FSHF-së për të ndërtuar Kombëtare të forta e konkurruese në të gjitha nivelet e moshave.
Ndërkohë, trajneri Armand Dama do të vijojë punën me të njëjtën grup-moshë duke marrë drejtimin e Kombëtares shqiptare U-16 dhe do të vijojë punën në “Elite Youth Academy” me brezin e datëlindjes 2010.
Sakaq, trajneri Françesko Vitobello do të jetë në drejtimin e grup-moshës së datëlindjes 2012 në “Elite Youth Academy”.