Girona ka qenë një histori e pastër frymëzimi këtë sezon. Skuadra spanjolle, e cila në vitin 2017 u ngjit për herë të parë në La Liga, udhëhoqi kampionatin për pjesën më të madhe të tij. Madje, në ditët e para të këtij viti ishte ekipi me më tepër pikë të grumbulluara në Europë. Megjithëse shanset për titullin kampion tashmë janë zbehur, Girona nuk hoqi dorë nga ëndrra e saj.
Klubi katalanas ka mposhtur sot 4-1 Kadizin, duke siguruar zyrtarisht pjesëmarrjen në Europë vitin e ardhshëm. Diferenca me Real Betisin e vendit të 7 është 20 pikë, ndërsa në garë kanë mbetur edhe 18 pikë për t’u fituar. Kështu, në skenarin më të keq, Girona do të luajë në Ligën e Konferencës. Megjithatë, klubi që po çudit futbollin Spanjoll është ende në garë për ta mbyllur sezonin mes 4 më të mirëve të La Ligës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/