Gishti të mos drejtohet vetëm nga të tjerët, gjykimi i UEFA-s dhe ulje-ngritjet e tifozëve të Shqipërisë

Gjithmonë ne flasim për ulje-ngritje e performancave të Kombëtares, të lojtarëve shqiptarë që hera-herës marrin rezultate jo të mira si në Ligën e Kombeve dhe më pas arrijnë edhe mrekulli të bukura si ajo e kualifikueseve të Botërorit. Tifozët janë padyshim një vlerë e shtuar e kësaj Kombëtare, por padyshim që nëse shohim edhe performancën e tyre, nuk ka qenë gjithmonë në nivelin më të lartë të mundshëm.

Kritika duhet filluar njëherë nga vetja, gishti duhet drejtuar njëherë nga vetja përpara se të shkojë tek tjetri. Me Silvinjon në krye te Shqipëria ka pasur shumë herë “Sold Out” të biletave në ndeshje, me Silvinjon kemi arritur dy herë historinë, por deri tani nuk kemi pasur kurrë një festë të vërtetë.
Historia në Europianin e Gjermanisë ishte për faktin se Shqipëria u kualifikua direkt nga vendi i parë, nuk kishte ndodhur në Francë e njëjta situatë. Ndërkohë në ndeshjen Shqipëri-Ishujt Faroe, kur kualifikimi ishte arritur dhe FSHF kishte përgatitur festën e madhe, stadiumi u boshatis dhe njerëzit u larguan pasi Shqipëria barazoi me Ishujt Faraoe.

Lojtarët nisën të flasin, stafi teknik po ashtu, por në stadium gjendeshin vetëm familjarët e tyre dhe disa tifozë të pakët në numër që pritën deri në fund për t’i dhënë falenderimet. Një situatë thuajse e ngjashme edhe me vendin e dytë të kualifikueseve të Botërorit, kur lamë Serbinë pas vetes. Ndeshja jonë e fundit ishte me Anglinë dhe pasi Shqipëria dhuroi një performancë të jashtëzakonshme në atë takim për 75 minuta, stadiumi u boshatis në mënyrë të frikshme brenda pak minutash duke mos i’u dhënë një përshëndetje dhe forcë e fundit lojtarëve siç e meritonin përpara se të fillojë ndeshjet e marsit.

Pra në totalin tonë, ulje ngritjet i kemi shfaqur edhe vetë ne, tifozët, jo vetëm lojtarët. Por ne kush mund të na gjykojë? UEFA është e vetmja që ka tagrin të gjykojë tifozët e Kombëtareve dhe aty, situata nuk duket shumë e mirë. Në bazë të rregullave të Fair Play, Shqipëria gjendet në vendin e 50, duke qenë më keq se të gjithë sa i përket Fair Play. Aty përfshihet sjellja e tifozëve, sjellja me ekipin mik dhe me gjyqtarët e ndeshjes. Një delegat i UEFA-s mban shënim gjithçka dhe sipas pikëve të grumbulluara, Shqipëria gjendet në vendin e fundit në këtë drejtim ndërsa menjëherë pas nesh vjen Kroacia, ndërkohë sjelljen më të mirë të tifozëve e ka Ishujt Faraoe. Flaganët, koret dhe gjithçka tjetër kanë bërë që e gjithë bukuria që formohet në ndeshjet tona, herë pas here edhe të venitet paksa. Ashtu si edhe në periudhën e Europianit të Gjermanisë ku e vërteta ishte se gjendeshim mes Kombëtareve që i dhanë më shumë jetë këtij turneu, por po aq e vërtetë ishte edhe fakti se ishim me Serbinë mes sjelljeve më problematike brenda stadiumit. Të gjithë duhet të përmirësohemi para marsit, të gjithë duhet të jemi një trup i vetëm për të arritur historinë që të gjithë duam, Botërori na pret dhe duhet të ndryshojmë diçka nga sjellja jonë përpara se ta prekim. /Sport Ekspres/