Gjesti fantastik/ Policia ndihmon me ujë tifozët në kufi, po vijnë në Tiranë për Shqipëri-Serbi

Gjithmonë kemi folur për situatën e ekzagjeruar të masave të marra nga ana e policisë sa i përket ndeshjes së sotme Shqipëri-Serbi. Masa të cilat të japin përshtypjen se nuk është një ndeshje futbolli, por gjithcka tjetër. Dhe mes shumë situatave negative, kemi një detaj të bukur, pozitiv dhe që është vetëm për t’u duartrokitur. Në prag të ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë që zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Arena Kombëtare”, në pikën kufitare të Bllacës janë krijuar radhë të gjata automjetesh sipas asaj që shkruan Gazeta Sinjali. 

Për të lehtësuar pritjen e tifozëve që presin për të kaluar kufirin, Policia në bashkëpunim me ambasadën shqiptare në Shkup ka nisur shpërndarjen e ujit tek drejtuesit e makinave. Kjo masë u mor për shkak të temperaturave të larta dhe pritjeve të gjata në kufi, duke synuar të mbështesë dhe ndihmojë qytetarët gjatë kalimit drejt ndeshjes së shumëpritur. 

Pra në dëshirën dhe qëllimin e mirë, kemi edhe shembuj të tillë të cilët janë shumë pozitivë dhe kur shqiptarët bëhen bashkë si rrallëherë, qoftë edhe për hir të armikut të përjetshëm, Serbisë. Gjithashtu është parë një rradhë e madhe në pikën kufitare kur e gjitha Kosova po zbarkon në Shqipëri. Qindra automjete janë parë atje, teksa të gjithë kanë flamurin e Shqipërisë me vete për të ardhur në Tiranë dhe për të mbështetur Kombëtaren. Sipas asaj që flitet, nuk do të jenë as gjysma e tyre në stadium pasi nuk kanë pasur mundësinë për t’u pajisur me biletë, megjithatë kjo nuk i ndal për të ardhur në kryeqytetin shqiptar. 

Të gjithë në Tiranë janë përgatitur festë, të gjithë kërkojnë fitoren dhe kërkojnë që ta festojnë këtë arritje të madhe vetëm në kryeqytetin shqiptar dhe jo për ta ndjekur atë në lokalet apo qyetet e tyre. Situata është ndezur tani në Tiranë, pasi në ditët e kaluara qetësia ishte e frikshme dhe të jepte përshtypjen se do të luhen ndaj një kundërshtari fare të rëndomtë dhe jo kundër Serbisë. Megjithatë urojmë që e gjitha kjo qetësi t’i ketë shërbyer kuqezinjëve tanë për të dalë me fitore nga kjo ndeshje që mban peng zemrat e gjithë shqiptarëve.  /Sport Ekspres/