Atalanta ka siguruar kalimin në çerekfinale të Kupës së Italisë. Bergamaskët mposhtën 4-0 Xhenoan, teksa rebeshin e golave e nisi Berat Gjimshiti në minutën e 19 të takimit. Përveç golit të shënuar, mbrojtësi shqiptar ka zhvilluar një lojë mjaft të mirë. Paraqitja e tij është vlerësuar me notën 7 nga “Tuttomercatoweb.com”, më e larta në këtë ndeshje.
Marten De Runi ka folur pas përfundimit të lojës për mediat, ku është shprehur se së bashku me Pashaliçin dhe me Gjimshitin kërkojnë të japin maksimumin dhe të tregojnë përvojën e tyre të gjatë.
“Unë, Pashaliçi dhe Gjimshiti kërkojmë gjithmonë që të japim maksimumin për Atalantën, duke marrë në konsideratë vitet e shumta që jemi këtu. Duhet të vazhdojmë kështu, sepse rruga është e duhura. Kemi një përzierje të shkëlqyer mes të rinjve dhe lojtarëve ekspertë”, ka deklaruar Marten De Runi./Sport Ekspres/