Faza e parë e Ligës së Kampionëve sjell për sportdashësit finalen e edicionit të shkuar. Reali i Madridit do të presë në “Santiago Bernabeu” Borusian e Dortmundit mbrëmjen e nesërme. Karlo Ançeloti është paraqitur sot në konferencë për shtyp, ku i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Mungesa e golit për Bellinghemin nuk është një problem për të, pasi sipas tij sezoni i shkuar ishte një përjashtim nga rregulli për mesfushorin anglez. Sa i përket Mbapesë, Ançeloti është shprehur se nuk dëshiron që ai të kryejë detyra mbrojtëse në fushë, por vetëm të shënojë.
“Për Bellinghemin nuk është befasi ky vit. Befasi ishte viti i kaluar, kur shënoi shumë gola. Nuk ka mungojnë golat e Bellinghemit. Golat i kemi shënuar dhe gjithmonë do t’i shënojmë, sepse kemi lojtarë me një talent të madh në sulm. Luis Enrike i kërkonte Mbapesë të bente presion? Unë kërkoj që të shënojë gola. Parapëlqej më shumë që të shënojë se sa t’i bëj presion kundërshtarit. Të njëjtën gjë i kam thënë edhe Benzemasë kur ka qenë këtu”, ka deklaruar Karlo Ançeloti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/