Pasi disa lojtarë të Shqipërisë kanë tundur rrjetën, edhe Arbër Hoxha ka shënuar golin e parë për vitin 2025. Futbollisti shqiptar ka shënuar në miqësoren kundër ekipit ukrainas të Shakhtar Donetsk, teksa ndeshja u mbyll në shifrat 2-2.
Në minutën e 95, Arbër Hoxha realizoi një gol të bukur teksa iu shmang dy lojtarëve kundërshtarë dhe goditi me të majtën, duke gjetur cepin e rrjetës. Gjithashtu ky ishte edhe goli i parë për Hoxhën nën drejtimin e trajnerit të ri, Fabio Cannavaro.
Arbër Hoxha po kërkohet me ngulm nga Lecce, por Zagrebi ka refuzuar ofertën e 1.5 milionë eurove për të. Lecce nga ana tjetër po përgatit një tjetër ofertë, duke mos hequr dorë nga shqiptari. Tani pritet të shihet nëse Cannavaro do ta lejojë Hoxhën që të largohet nga Kroacia. Gjithashtu vlen të theksohet se miqësorja e sotme ishte më e pazakonta që ka parë Arbëri në karrierën e tij. Ndeshja u luajt me 3 pjesë dhe jo 2 pjesë si jemi mësuar zakonisht. Dy pjesë u luajtën për 30 minuta dhe pjesa e fundit zgjati 45 minuta. /Sport Ekspres/