Brajan Gruda është rikthyer në Gjermani. Sulmuesi i krahut të djathtë nuk gjeti hapësirat e duhura te Brajtoni në Ligën Premier. Për këtë arsye lojtari shqiptar vendosi ta përfundojë sezonin në Bundesligë. Gruda është huazuar deri në muajin qershor në radhët e Lajpcigut. Një zgjedhje e duhur në karrierë, duke marrë parasysh se klubi gjerman është një vitrinë e shkëlqyer për talentet e rinj që duan të bëjnë karrierë në Europë.
Drejtori sportiv i Lajpcigut ka folur për mediat në lidhje me këtë transferim. Marcel Shaferi i ka thurur elozhe Brajan Grudës, teksa ka veçuar cilësitë e tij të forta, të cilat kanë shtyrë klubin gjerman të nënshkruanin kontratë me të.
“Ai ka një hap të mirë. Është teknikisht i fortë dhe kreativ. Kontrollin e afërt e ka gjithashtu të shkëlqyer. Qendrimi i tij, përkushtimi dhe fiziku i tij nënkuptojnë se ai përshtatet me stilin tonë edhe në lojën pa top”, ka deklaruar Marcel Shaferi./Sport Ekspres/