Mançester Siti po kalon përmes një kalendari mjaft të ngjeshur përpara sfidës delicate me Realin e Madridit. “Qytetarët” zhvilluan një përballje mjaft të fortë kundër Arsenalit pak ditë më parë, ndërsa sot u ndeshen me Aston Vilën. As më pak dhe as më shumë, por skuadra që mban vendin e 4-t në Premier Ligë.
Megjithatë, kjo pengesë u kalua me mjaft lehtësi nga kampionët në fuqi të kampionatit anglez. Guardiola ka marrë masat për duelin me Realin, teksa sot la në stol dy yjet e tij, Halandin dhe De Brujnin. Por këto dy mungesa nuk janë ndjerë aspak në fushën e lojës. Mançester Siti ka shpartalluar me shifrat 4-1 Aston Vilë, duke e dominuar edhe në statistika.
“Qytetarët” kanë mbajtur topin në zotërim në 68% të kohës, si dhe kanë provuar 25 herë të godasin, por vetëm 11 tentativa përfunduan në kuadrat. Në krahun tjetër Aston Vila numëron në tërësi 8 tentativa për gol, ndër të cilat vetëm 3 ishin në kuadrat. Ekipi i Guardiolës do të luajë në fundjavë kundër Kristal Palasit, ndërsa më 9 prill do të përballet me Realin e Madridit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve./Halit Delibashi-Sport Ekspres/