Hall më vete! Shqipëria dhe Serbia luftojnë për biletën e fundit? Gazetari shqiptar: Në Letoni u lumturuan me shortin, të sigurt se kapin vendin e 2

Në ditën e sotme Shqipëria ka mësuar shortin sa i përket kualifikueseve të Botërorit. Kuqezinjtë do të përballen me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. Me Anglinë që ka vendin e parë, në një projeksion logjik Shqipëria dhe Serbia do të luajnë shanset e fundit për vendin e dytë. Por i ftuar në emisionin Koha Shtesë që transmetohet në Youtube, gazetari shqiptar Redian Ara është shprehur se në Letoni ishin lumturuar shumë pas këtij shorti dhe mendojnë se do të jenë ata në vendin e dytë, duke hapur kështu një tjetër duel.

“Ne bëjmë gabim se kur luajmë ndaj ekipeve më të vogla, i nënvlerësojmë shumë. Në futboll nuk futesh dot kurrë në fushë i sigurt se fiton. Kam parë se 90% e tifozëve të Letonisë ishin shumë të lumtur pas shortit, madje ata mendonin se do të kapnin vendin e dytë dhe do të linin mbrapa Shqipërinë me Serbinë. I kam parë ndeshjet e tyre, edhe pse nuk kanë rezultatet më të mira, por futen në fushë pa frikë dhe për të shënuar gola. Nuk do të jetë fare e lehtë me ta”, tha gazetari. /Sport Ekspres/