Historia dramatike e gjetjes së Silvinjos te Shqipëria, e la futbollin pak kohë pasi babai i doli me sëmundje të rëndë

Dallgët e jetës janë padyshim ato më të vështirat për t’u kapërcyer, disa me fytyrën e buzëqeshur dhe me zemrën që i qan nga brenda e kapërcejnë edhe një tjetër dallgë që i përplas dhe i hedh tutje, të tjerë, zgjedhin që të dorëzohen dhe të mbyten. Historia e Naser Alijit, lojtarit që zuri vendin e Mitajt te Shqipëria për ndeshjet e marsit kundër Anglisë dhe Andorrës, është një histori për t’u bërë film. Nëse Aliji do të kishte shënuar një gol fitore për Shqipërinë kundër Anglisë në transfertë, historia e tij e jetës mund të shfaqej në kinematë e çdo qyteti të Shqipërisë pasi është e tillë, ka shumë nota dramatike dhe herë pas here, shfaqet edhe një kulm.

Aktualisht Aliji luan te Dinamo në Shqipëri dhe është në moshën 31-vjeçare. Paraqitja e tij ndaj Anglisë ishte shumë e mirë në fazën mbrojtëse, duke gabuar shumë pak, për të mos thënë aspak në këtë drejtim dhe duke e nxjerrë Foden si lojtarin më të dobët, që ishte në krahun e Alijit. Por kritika e vetme për të qëndron në faktin se në të dyja ndeshjet, si me Anglinë dhe me Andorrën, Aliji nuk e ndihmoi aspak fazën sulmuese, ndryshe nga Mitaj dhe për këtë arsye mungesa e këtij të fundit u ndie shumë.

Por për këdo që e ka parë Kombëtaren prej kohësh, në momentin kur ishte Ansi Agolli te Shqipëria dhe po vinte largimi i tij, Naser Aliji ishte si një Mario Mitaj për ne. Ky lojtar kishte shumë qetësi në kontrollin e topit, shumë aftësi të mira në driblim dhe gjithashtu në krosim, daljet fundore i kishte më të shpeshta dhe të sakta se Agolli.

Megjithatë një vuajtje e madhe goditi Naser Alijin, në një nga momentet ku duhej të arrinte kulmin e tij. Pasi u formua te Bazeli, Aliji luajti në Hungari dhe në Rumani, por për pak kohë qëndroi edhe te Vitrus Entella në Itali.

Më pas ai qëndroi disa kohë pa ekip dhe e la futbollin në një periudhë pasi babai i tij doli me kancer dhe mjekët i kishin dhënë kohën e jetëgjatësisë së tij, pra Naseri e dinte se kur babai i tij do të ndërronte jetë. Për këtë arsye, ai ndërpreu bashkëpunimin me ekipet jashtë Zvicrës dhe kërkoi ekipe që ndodheshin në Zvicër, pasi donte që t’i qëndronte afër babait.

“Po stërvitem te Badeni për të qenë në formë. Isha i zhgënjyer këtë verë pasi nuk kisha klub. Megjithatë kuptova shumë, kuptova se duhet të qëndroja më shumë me babain tim, i cili vuante nga kanceri. Kam pasur mendime të tjera sesa për një klub ku mund të luaja. Doja të rrija në Itali, por problemet vazhduan. Menaxherët falsifikuan firmën time për të bërë bisedime me klube të tjera. Në Itali e humbën besimin te unë, megjithëse këtë çështje do ta ndjek deri në fund. Dua të qëndroj pranë familjes dhe një klub jashtë vendit nuk është në prioritetet e mia”, tha Aliji në një intervistë për Blick në 2018. Fati e solli që Aliji të vishte sërish fanellën e Shqipërisë dhe të luante në tokën e Ëembley kundër anglezëve. Një paraqitje shumë e mirë, por nëse do të largoheshim me pikë nga Anglia, kjo histori do të merrte një vëmendje botërore, ndryshe nga tani, ku Shqipëria humbi dhe historitë e lojtarëve tanë nuk janë në fokusin kryesor. /Sport Ekspres/