“Historia e Bajernit është e krahasueshme me të Realit në Champions”, Ançeloti beson te kualifikimi: Jemi të vetëdijshëm se ç’mund të arrijmë në këtë turne

Mbrëmjen e nesërme rikthehen emocionet e forta të Ligës së Kampionëve. Bajerni i Mynihut do të presë Realin e Madridit në gjysmëfinalen e parë të këtij kompeticioni. Karlo Ançeloti është paraqitur përpara gazetarëve në konferencë për shtyp, ku ka deklaruar se Reali i Madridit është i vetëdijshëm se çfarë mund të arrijë në këtë turne. Ai gjithashtu ka treguar respektin e tij për Bajernin e Mynihut, për të cilin është shprehur se ka histori të krahasueshme me Realin në Ligën e Kampionëve.

“Kemi besim. Kemi respekt për Bajernin e Mynihut. Ata nuk kanë zhvilluar një sezon fantastik në Bundesligë, por kundër Arsenalit kanë bërë dy ndeshje spektakolare. Luajtën shumë mirë në këto dy ndeshje. Duhet t’i shohim ato. Tregojnë historinë e këtij klubi, e cila është e krahasueshme me historinë tonë. Është si Reali i Madridit në këtë kompeticion. Reali i Madridit është i vetëdijshëm se çfarë mund të arrijmë në këtë kompeticion. E ndjejmë respektin në të gjithë botën”, ka deklaruar Karlo Ançeloti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/