Një mbrëmje historike për Bajer Leverkusenin. Skuadra e drejtuar nga Ksabi Alonso ka fituar për herë të parë në histori titullin kampion në Bundesligë. “Aspirinat” kanë thyer hegjemoninë e Bajernit të Mynihut pas 12 viteve dominim.
Leverkuseni e ka festuar sot titullin kampion me një goleadë kundër Verder Bremenit. Bonifejsi hapi serinë e golave në minutën e 25, kur shndërroi në gol një 11 metërsh. Më pas ishte Granit Xhaka ai, i cili me një goditje mahnitëse nga distanca shkundi rrjetën në minutën e 60.
Më pas ishte Virtci ai që mori frerët e lojës në duar. Talenti gjerman shënoi tre gola, përkatësisht në minutat 68, 83 dhe 90. Më tej ishte e kotë të luhej, tifozët mësynë në fushë për të ndarë gëzimin e tyre me futbollistët dhe stafin drejtues./Halit Delibashi-Sport Ekspres/