HISTORIKE për Shqipërinë! Igli Tare zyrtarizohet si drejtori sportiv i Milanit, ja sa do të paguhet në sezon

Një moment historik për Igli Taren dhe padyshim për Shqipërinë, tani do të kemi një ambasador tonin në nivelet më të larta drejtuese në një prej ekipeve me më shumë histori në Europë, te Milani. Duket se një erë e re po fryn në favorin e shqiptarëve në futboll. Në vitet e fundit kemi një kapërcim dhe hap pozitiv në faktin që lojtarët tanë po luajnë në ekipet më të mira, se Shqipëria po pret kompeticione me rëndësi në Europë dhe njëkohësisht gjyqtarët tanë po gjykojnë në nivele më të larta europiane. 

Në mesin e këtyre arritjeve, kemi edhe një drejtor sportiv që tani do të jetë pjesë e Milanit, Igli Tare. Telenovela ka marrë fund dhe Igli Tare është zyrtarisht drejtori i ri sportiv i Milanit. Kontrata është firmosur në orën 13:00 në ditën e sotme, në 23 maj. Një firmë e hedhur që vulos gjithçka, ndërsa në orët në vazhdim do të zyrtarizohet gjithçka nga faqja zyrtare e Milanit. 

Kështu Tare ka nënshkruar për dy sezone te Milani, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Sa i përket pagesës së tij, mediat italiane theksojnë se Tare do të përfitojë rreth 1 milionë euro neto në sezon. Kërkesa e Iglit ka qenë vetëm një në marrjen e kësaj detyre, ai ka kërkuar liri të plotë të punës së tij për të sjellë lojtarët që ai mendon se do të jenë pjesë e rëndësishme e Milanit në të ardhmen, por njëkohësisht për të zgjedhur edhe trajnerin që ai mendon se do t’i përshtatej më mirë këtij projekti. 

Përkundër disa dyshimeve që kishte nga drejtuesit e tjerë të Milanit për Igli Taren, ai që ka besuar nga momenti i parë te shqiptari dhe ka mbështetur figurën e Igli Tares gjithmonë ka qenë Zlatan Ibrahimovic. Nën bekimin e Ibrahimovic, shqiptari merr përgjegjësinë më të madhe të karrierës së tij, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë emra nga lojtarë të Shqipërisë që do t’i bashkohen Milanit, ashtu siç Tare bëri kur ishte pjesë e Lacios. /Sport Ekspres/