Homazhet në nderim të Ismet Bellovës, Presidenti Duka: Zëri i tij e bëri futbollin shqiptar pjesë të çdo familjeje

Komuniteti i futbollit shqiptar i dha sot lamtumirën e fundit profesor Ismet Bellovës, komentatorit të shquar të Radio Tiranës dhe një prej figurave më të respektuara të sportit dhe gazetarisë shqiptare.

Në homazhet e organizuara në hollin e RTSH-së morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Zv.Presidenti i FSHF, Lutfi Nuri, dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku. Pas shprehjes së ngushëllimeve për familjarët, miqtë dhe të afërmit e Ismet Bellovës, Presidenti Duka dha një prononcim për mediat, ku vlerësoi maksimalisht figurën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të profesor Bellovës në sportin shqiptar.

Sot, fatkeqësisht i japim lamtumirën e fundit profesor Ismet Bellovës, gazetar dhe komentator i shquar i mikrofonit shqiptar. Zëri karakteristik i profesor Ismetit ka sjellë futbollin shqiptar në çdo familje shqiptare, në çdo person që e ka pasion futbollin, për dekada e dekada. E ka kryer në mënyrën më perfekte shërbimin e tij, jo vetëm për radion, për komentin, por edhe për futbollin. Zëri i profesorit, kontributi i tij, ka qenë edhe një shkollë për të gjithë ata që e kanë pasuar dhe do të mbetet, siç e thatë ju, një zë emblematik dhe për shumëkënd, mbase edhe për mua, më i miri dhe më i veçanti për mikrofonin shqiptar. Sot, në këtë ditë zie, unë dua t’i shpreh ngushëllimet e mia, të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë komunitetit futbollistik shqiptar, familjes së profesor Ismetit, miqve të tij dhe të gjithë të njohurve të tij. U preftë në paqe profesor Ismeti!, – tha Presidenti Duka.