Lecce ndodhet në një pozicion jo komod në Serinë A, ndërsa disa rezultate negative radhazi ka bërë që kjo skuadër të ndodhet në diskutim për rënie nga elita. Një protestë është bërë nga ana e tifozëve të Lecce që kërkojnë të zgjojnë lojtarët dhe të dalin sa më shpejt nga situata e vështirë.
Sot Lecce barazoi 1-1 ndaj Venecias, me Ramadanin që e nisi titullar, por do të ulej në stol në minutën e 54, duke i lënë vendin e tij një tjetër lojtari të Shqipërisë, Medon Berishës. Pas takimit, trajneri Giampaiolo ka përgëzuar Berishën për mënyrën sesi u paraqit në pjesën e mbetur të ndeshjes.
“Bëra katër ndërrime dhe jo pesë, pasi nuk doja që të prishja ekuilibrin që ishte ndërtuar në lojë. N’Dri hyri mirë, është lojtar i gjallë, brilant dhe i shpejtë. Berisha dhe Pierret gjithashtu hynë shumë mirë nga stoli, në ato momente kishim nevojë për më shumë cilësi dhe kur morën përsipër aksione, bën shumë mirë punën e tyre. Kemi krijuar disa raste dhe shifrat e mundësive tona para porte janë të mirë”, tha Giampiolo. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/