“Hyrja do të jetë falas dhe do të ketë muzikë të krahinës tonë”! Erë tjetër fryn në Kukës, ftojnë tifozët për Erzenin

Kukësi do të luajë nesër kundër Erzenit në shtëpi. Kjo ndeshje do të fillojë në orën 17:00, ndërsa një erë e re fryn në Kukësi pasi ndryshuan pronarët e klubit. Para këtij takimi, verilindorët tregojnë se hyrja në stadium do të jetë falas, ndërsa gjithashtu do të kenë edhe muzikë krahinore.

“Të dashur tifozë,

Nesër është dita e madhe, ku për skuadrën tonë, qytetin tonë dhe futbollin e Kukësit nis një epokë e re! Do të jetë një rrugëtim i gjatë, i vështirë, por së bashku jemi të bindur se do t’ia dalim! Së bashku do të jemi sërish aty ku kemi vendin!

Ditën e nesërme ju mirëpresim të gjithëve në stadium, pasi së bashku mund ta kthejmë në festë! Për këtë, klubi ka vendosur të hapë dyert e stadiumit pa bileta dhe ka organizuar edhe një festë para fillimit të takimit, ku muzika e krahinës sonë, do të jetë shoqëruese për të ndezur atmosferën”, shkruhet në reagim. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/