Trajneri i Gëangju, Lee Jung-hyo, ka folur për Jasir Asanin menjëherë pas golit të sulmuesit shqiptar. Pas disa problemeve në të kaluarën, Asani është rikthyer si një hero te Gëangju duke i dhënë fitoren kundër Jeonbuk në shifrat 0-1. Një gol me cilësitë e tij individuale vendosi fitoren e tretë radhazi të Gëangju që tani shikon pjesën e sipërme të tabelës.
Ndërkohë vlerësimet nga trajneri i Gëangju nuk munguan për shqiptarin, megjithëse Lee Jung-Hyo i kërkon që të qëndrojë vigjilent dhe të mos ndalet vetëm me këtë gol të shënuar. “Ne patëm një takim dje në stadium. Gjendja e tij është përmirësuar shumë dhe fytyra i është ndricuar tani. Sinqerisht, kam pritshmëri të mëdha te ai, lojtarët kanë nisur t’i besojnë prapë Asanit. Por vetëm sepse shënon një gol, nuk të garanton vendin për ndeshjen tjetër. Lojtarët që janë në gjendje të mirë në stërvitje do të luajnë. Të gjithë ata i nënshtrohen rregullave të njëjta, ka konkurrencë të madhe te ne”, tha trajneri. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/