Igli Tare bëhet drejtori sportiv i Milanit, vjen urimi edhe nga Armand Duka: Do e kthesh Milanin në vitet e lavdishme 

Një moment historik për Igli Taren dhe padyshim për Shqipërinë, tani do të kemi një ambasador tonin në nivelet më të larta drejtuese në një prej ekipeve me më shumë histori në Europë, te Milani. Duket se një erë e re po fryn në favorin e shqiptarëve në futboll. Në vitet e fundit kemi një kapërcim dhe hap pozitiv në faktin që lojtarët tanë po luajnë në ekipet më të mira, se Shqipëria po pret kompeticione me rëndësi në Europë dhe njëkohësisht gjyqtarët tanë po gjykojnë në nivele më të larta europiane. 

Në mesin e këtyre arritjeve, kemi edhe një drejtor sportiv që tani do të jetë pjesë e Milanit, Igli Tare. Telenovela ka marrë fund dhe Igli Tare është zyrtarisht drejtori i ri sportiv i Milanit. Kontrata është firmosur në orën 13:00 në ditën e sotme, në 23 maj.  

Kështu Tare ka nënshkruar për dy sezone te Milani, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Sa i përket pagesës së tij, mediat italiane theksojnë se Tare do të përfitojë rreth 1 milionë euro neto në sezon. Kërkesa e Iglit ka qenë vetëm një në marrjen e kësaj detyre, ai ka kërkuar liri të plotë të punës së tij për të sjellë lojtarët që ai mendon se do të jenë pjesë e rëndësishme e Milanit në të ardhmen, por njëkohësisht për të zgjedhur edhe trajnerin që ai mendon se do t’i përshtatej më mirë këtij projekti. 

Ndërkohë kreu i FSHF, Armand Duka, e ka uruar Igli Taren nëpërmjet rrjeteve sociale për këtë arritje të madhe. “Urime Igli! Emërimi yt si Drejtor Sportiv i klubit të Milanit, është një arritje vërtetë e rëndësishme. 

Besoj fort se profesionalizmi, përkushtimi dhe vizioni yt do ta ndihmojnë këtë klub legjendar të rikthehet në nivelet që i takojnë, ashtu si në kohët e lavdishme të historisë së tij. 

Ti ke dëshmuar më parë te Lazio, ku për vite me radhë ke ndërtuar me sukses një projekt të qëndrueshëm dhe konkurrues në arenën ndërkombëtare. 

Tani të pret një tjetër sfidë e madhe, por jam i bindur se do t’ia dalësh edhe këtë herë, me të njëjtën maturi dhe pasion për lojën”, shkruan Duka. /Sport Ekspres/