Interi nuk e dërgon në huazim, Krisjtan Asllani vendos një kusht për largimin e tij

Kristjan Asllani mund të jetë pranë një largimi nga Interi, por jo në formë huazimi. Sipas burimeve të mediave italiane, drejtuesit kanë vendosur ta nxjerrin në shitje mesfushorin shqiptar gjatë kësaj merkatoje vere, duke mos marrë në konsideratë ofertat për huazim. Pavarësisht interesit të disa klubeve për ta marrë përkohësisht, Interi kërkon të përfitojë financiarisht dhe të çlirojë vendin në repartin e mesit të fushës për përforcime të reja.

Nga ana tjetër, vetë Asllani është i vendosur të qëndrojë në Serie A dhe nuk do të pranojë oferta nga jashtë Italisë. 22-vjeçari kërkon vazhdimësi dhe më shumë minuta loje, gjë që nuk e ka gjetur mjaftueshëm te Interi, por mbetet i vlerësuar në kampionatin italian.

Klube si Bologna dhe Fiorentina kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e tij. Në ditët në vijim priten zhvillime të rëndësishme, ndërsa destinacioni i ardhshëm i Asllanit pritet të jetë një tjetër skuadër e Serie A, ku ai të ketë rol më të rëndësishëm dhe më shumë hapësira në fushë. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/