Ishte Dinamo e Tiranës apo Manchester City? Kroatët shokohen nga humbja në Shqipëri, shihni reagimet epike

Dinamo e Tiranës ose siç tani njihet me emërtimin e ri, Dinamo City, ka arritur të fitojë në shifrat 3-1 ndaj Hajduk Split. Ekipi shqiptar i drejtuar nga Ilir Daja ka eleminuar gjigandët e Kroacisë duke arritur kështu në fazën e Play Off të Conference League. Një arritje e madhe kjo për futbollin e Shqipërisë dhe një tjetër konstatim që Ilir Daja, siç thuhet edhe në gjuhën e popullit, “ha bukë veç” në futbollin tonë.

Por padyshim që kjo humbje ishte një tronditje e madhe për kroatët. Hajduku i emrave të mëdhenj, Hajduku që solli në ekip edhe Ante Rebic, ish-lojtarin e Milanit është eleminuar nga Dinamo e Shqipërisë. Reagimi i kroatëve u pa qartë që pas ndeshjes, të gjithë me duart në kokë dhe duke mos i besuar syve, ndërsa trajneri i Hajduk, Garcia, ishte ulur me kokën e vendosur në stol dhe në gjendje shoku.

Gjendja e shokut vazhdoi edhe pas ndeshjes teksa trajneri i Hajduk ka folur përcart në konferencë: “Ky është futbolli, Dinamo nuk kishte asnjë rast të pastër, ndërsa ne ishim gjithmonë në portën e tyre, por nuk konkretizuam dot rastet tona”, tha Garcia. Por nëse shohim statistikat e ndeshjes, goditjet në total ishin 20-6 në favorin e Dinamos dhe goditjet në portë 20-2 në favorin e Dinamos. Pra gjendja e shokut e trajnerit të Hajdukut flet qartë për një të pavërtetë të madhe të thënë në konferencë.

Për të vazhduar më tej, mediat në Kroaci e kanë konsideruar padyshim si një turpërim të madh për futbollin kroat faktin që Hajduku humbi në Shqipëri. “Nuk është bukur që të gjithë në Kroaci dhe në Europë janë duke qeshur, ata humbën nga City, por unë nuk e di nga kush, nga Manchester City apo nga ata më të mirët, nga Tirana”. Komenti më epik kishte ardhur nga një tifoz i Hajduk Split në faqen zyrtare në Facebook. “Në të ardhmen do t’u them fëmijëve që na eleminoi Manchester City”.

E gjitha kjo vjen pasi emri i Dinamos së Tiranës tanimë është Dinamo City dhe ky emër u përligj me futbollin sulmues të zhvilluar nga Ilir Daja në mbrëmjen e djeshme në Air Albania, Dinamo ishte një fotokopje e Manchester City për Hajduk Splitin. Dhe këtë e parandjeu shumë mirë edhe trajneri Garcia kur para ndeshjes tha se Dinamo do të sulmonte dhe se Hajduku duhej të mbrohej sa më shumë, pavarësisht se këto fjalë u dukën të pakuptueshme duke ditur diferencën e madhe mes dy ekipeve. Lajmi i këtij eleminimi të bujshëm është shpërndarë nga të gjitha mediat europiane dhe Shqipëria merr edhe njëherë tjetër jehonën në saj të rezultatateve futbollistike. /Sport Ekspres/