A është kjo Kombëtarja më e mirë e të gjitha kohërave? Nëse do të dilnim në një përfundim, sigurisht që do të ishte ofenduese për brezat e mëparshëm që kanë dhënë kontributin e tyre me fanellën kuqezi.
Por me siguri dhe bindje të plot mund të themi se Shqipëria nuk ka pasur kurrë kaq sulmuesë kualitativ në organikë sa tani. Jo pak, por 9 të tilla janë në listë dhe me siguri 2 prej tyre do të mbeten pa Europianin e Gjermanisë. (Analiza e sulmuesve dhe se kush prej tyre mund të mbetet pa Europian është bërë në emisionin Koha Shtesë dhe mund të shihet më poshtë)
Arbnor Muja, Ernest Muci, Mirlind Daku, Armando Broja, Rey Manaj, Jasir Asani, Taulant Seferi, Sokol Cikalleshi dhe Taulant Seferi kërkojnë me të drejtë që të jenë pjesë e Euro 2024. Por jo të gjithë do të munden pasi Shqipëria nuk është as Italia dhe as Spanja për të shkuar në Gjermani me kaq shumë sulmuesë.
Por cilat janë variantet që Rei Manajn dhe Armando Broja të jenë pjesë e Europianit? Varianti klasik është zëvendësimi i 2 sulmuesve me 2 të tjerë që kanë pjesë e kualifikueseve të Europianit. Ndërkohë një tjetër variant, lidhet me sakrifikimin e një mesfushori. Në rolin e Asllanit dhe Ramadanit, qëndrojnë në pritje gjithashtu Bare, Gjasula dhe Laçi.
Një tjetër mundësi për Silvinjon mund të jetë edhe largimi i një prej këtyre tre emrave dhe të një sulmuesi tjetër, për të shkuar me Manajn dhe Brojën në Gjermani. Kështu Asllani dhe Ramadani do të kishin dy zëvendësues dhe nëse ndodhet skenari më i keq kur dy mesfushorë të dëmtoheshin, Mario Mitaj mund të vijë në ndihmë pasi roli i tij i ri te Lokomotiva e Moskës është ai i mesfushorit. Jo vetëm që Mitaj po e bën me sukses, por është duke dalë shpesh edhe te goli.
Mirlind Daku? Nëse Shqipëria do të kualifikohet nga grupi i Euro2024, do të ishte befasia e madhe pasi gjendet në të njëjtin grup me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Por për të bërë këtë befasi të madhe, kërkohen lojtarë të paparashikueshëm. Dhe Daku i ka këto aftësi. Nëse për Manajn, Brojën apo Cikalleshin, tanimë ia kemi mësuar lëvizjet dhe idetë e tyre sesi i zgjidhin vendimet në momente të caktuara, Daku është totalisht i padeshifrueshëm. Këtë lojtar e gjen në mesin e një turme me lojtarë dhe ia del që të mbajë topin deri në fund në këmbë. /Sport Ekspres/