Shqipëria U-17 zhgënjeu tërësisht në ndeshja e parë të Europianit që po zhvillohet në vendin tonë pasi humbi në shifrat 0-4 ndaj Portugalisë. Një dorëzim pa kushte ndaj kundërshtarit ku më shumë sesa rezultati, ajo që la shije të keqe ishte fakti se kuqezinjtë nuk luajtën asnjëherë në futboll, pavarësisht se nëse i futeshe emrave të ekipeve nga vinin, Shqipëria mund të kishte ekip më të mirë se Portugalia. Gabriele Kulla është ylli i madh i Shqipërisë U-17, që spikat më shumë se të tjerët. Në një intervistë me gazetarin Gerti Carcani në “Mcn Tv”, Kulla është shprehur se do t’i tund Gjermanisë rrjetën sot për ndeshjen e dytë.
“Është një mundësi e madhe për ne që të luajmë në këtë Europian. Ndeshjen me Portugalinë, gjërat nuk shkuan ashtu si pritej. Për një sulmues goli është i bukur, por kemi dy ndeshje të tjera përpara dhe duhet që edhe të shënoj, por edhe të marrim rezultat pozitiv. Në futboll ndodh çdo gjë, nuk duhet të futemi në fushë të dorëzuar. Do të doja më shumë që t’i shënoja një gol Gjermanisë sesa Francës. Pas ndeshjes me Portugalinë, të gjithë ishim të mërzitur, nuk e prisnim që të bënim atë performancë dhe të merrnim atë rezultat. Jam tifoz i Vllaznisë dhe e shoh kur kam kohë të lirë”, tha Kulla.
Nga ana tjetër në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe kapiteni i Shqipërisë U-17, Kris Gecaj, i cili shkoi madje edhe pak më larg duke thënë se Shqipëria do të fitojë sot ndaj Gjermanisë U-17.
“Jemi shumë të mërzitur, na vjen inat për faktin se nuk ka dalë në fushë ajo që kemi punuar në stërvitje. Ishim përgatitur shumë mirë, por nuk i zbatuam dot gjërat tona vecanërisht në pjesën e dytë si i kishim punuar. Gjithsesi ne duhet të shohim përpara tani. Është cështje mentaliteti, ne kemi lëshuar dicka në pjesën e dytë. Nuk ka shumë diferenca mes ekipeve, edhe lojtarët tanë janë pjesë e kampionateve më të mira në Europë. Le të shohim përpara, për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të mundur Gjermaninë. Në stërvitje kemi punuar që të luajmë me pasime, jo me top të gjatë, jo të mbyllemi në mbrojtje, se i kemi cilësitë dhe duhet të provojmë. Tani jemi më shumë ekip pas kësaj humbje. Në fund e lamë shumë, ka pasur mungesë komunikimi dhe prandaj i pësuam ato dy gola”, tha Gecaj. /Sport Ekspres/