“Jam xheloz që nuk kam luajtur një herë në ‘Air Albania’”, Altin Lala: Ndaj Greqisë kam ndjerë presionin më të madh në jetën time

Altin Lala ka dhënë së fundmi një intervistë për “RTSH 24”, ku është ndalur padyshim te ecuria e Kombëtares shqiptare. I pyetur nëse është ndjerë xheloz që nuk ishte në fushë si lojtar në përballjen kundër Serbisë, ish-kapiteni i kuqezinjve është përgjigjur negativisht. Ai ka theksuar se e ka përjetuar një sfidë të ngjashme në vitin 2004 kundër Greqisë. Lala tregon se kjo përballje ka qenë ajo në të cilën ka pasur presionin më të madh në karrierë. Ish-mesfushori i njohur është shprehur se ka ndjerë xhelozi vetëm për faktin se nuk ka mundur të luajë dot në stadiumin “Air Albania”.

“Xheloz që nuk isha në ndeshjen me Serbinë? Jo, absolutisht që jo. Unë kam pasur fatin të luaja në 2004-n me Greqinë. Ka qenë ndeshja ku unë kam pasur presionin më të madh në jetën time. Më ka rënë rasti në Gjermani të luaj në stadiume me 80 mijë vende, në Dortmund, në Mynih, në Shalke, në Hamburg. Stadiume të mëdha që kanë shumë tifozllëk, por si në atë ndeshje nuk kam pasur presion më të madh. Kështu që, futbolli është me gjenerata. Unë e kam kaluar atë pjesën time.

E vetmja gjë për të cilën jam xheloz është që nuk kam luajtur një herë në “Air Albania”. Në kohën time, kur kemi luajtur në “Qemal Stafa” ka qenë më ndryshe. Ka qenë edhe aty atmosferë e paparë. Kemi pasur gjithmonë tifozllëk, por në “Air Albania” do të kisha qejf të luaja. Tifozët janë më afër, bëhet një atmosferë shumë e bukur. Kemi një stadium super të bukur. Në ndeshjen e parë kur u inagurua stadiumi, në ndeshjen me Francën, kam qenë aty. Atëherë e ndjeva veten për herë të parë xheloz. Për gjëra të tjera, absolutisht që jo”, ka thënë Altin Lala./Sport Ekspres/