Ardian Ismajli ka dhënë një intervistë për “SportON” në “Radio Urban”. Mbrojtësi shqiptar ka folur ndër të tjera për marrëdhënien e tij me lojtarët e tjerë shqiptarë te Empoli. Ismajli shprehet se fakti që në skuadër ka bashkëkombas të tijin, ia ka bërë edhe më të lehtë përvojën te klubi toskan. Për më tepër, tregon se futbollistë të tjerë të Empolit kanë nisur të kuptojnë edhe disa fjalë në gjuhën shqipe.
“Unë që prej ditës së parë që kam ardhur në Empoli kam gjetur disa shqiptarë të tjerë. Ishte Nedim Bajrami, ishte Kristjan Asllani, pastaj edhe Samir Ujkani. Me këta të tre ishim bashkë për 2 vite. Pastaj mbërriti edhe Etrit dhe Shpendi këtë vit. Kur ke shqiptarë, kur ke bashkëkombasin tënd është shumë më e lehtë. Sidomos nga ana e komunikimit dhe nga ana e ndihmesës. Të gjitha këto ndërlidhen dhe ta lehtësojnë më shumë si stërvitjen, si ndeshjen. Jemi goxha shumë. I kam disa shokë që ndonjëherë disa fjalë të tonat i përsërisin, sepse ne flasim shqip këtu. Edhe ata (lojtarët e Empolit) e kanë mësuar ndonjë fjalë deri tani”, ka thënë Ardian Ismajli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/