Ardon Jashari është shumë pranë Milanit! Mesfushori shqiptar i Club Brruge ka zhvilluar një sezon fantastik me ekipin belg. Pas ardhjes së Igli Tares te Milani si drejtor sportiv, një nga punët e para ishte bindja e Jasharit për t’u veshur kuqezi. Jashari po ëndërron një kalim të tillë, por Club Brugge po i hap jo pak probleme. Për shkak të kësaj, ka një krisje në marrëdhënien e tyre teksa Jashari nuk po jepte maksimumin në stërvitje dhe belgët e hoqën për pak kohë nga skuadra. Ndërkohë Igli Tare ka folur më shumë rreth kësaj situate:
“Nuk mendoj se është e përshtatshme të flasim për këtë në një konferencë për tregun e transferimeve. Është një situatë që ju e dini tashmë dhe për të cilën ne interesohemi, fakti që ai mund të vijë në Milan. Ky është vullneti i tij, të luajë për këtë ekip. Por në këtë kohë duhet të respektojmë dinamikën e një klubi tjetër me të cilin ai është nën kontratë. Ne besojmë se kemi bërë një ofertë të shkëlqyer, gjithashtu në respekt të historisë së klubit dhe futbollit belg. Shpresoj që historia të përfundojë me një fund të lumtur për Milanin dhe për lojtarin”, tha Tare. /Sport Ekspres/