Armand Duka ishte i ftuar në një intervistë për emisionin “Opinion” në “TV Klan”. Tema e diskutimit ishte padyshim ajo fitore historike kundër Serbisë. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ka zbuluar se trajneri Stojkoviç dhe drejtuesit e Federatës Serbe e kanë pranuar humbjen, duke i dhënë tërësisht meritat kuqezinjve. Gjithashtu, Duka falenderon palën serbe për mënyrën e organizimit të ndeshjes, e cila kaloi pa incidente.
“Unë kam biseduar me drejtuesit e Federatës Serbe dhe me trajnerin e Serbisë. I thashë: “Me vjen keq, ky është futbolli”. Më tha: “Ju e merituat. Nuk ka asgjë për të ardhur keq, sepse ne nuk e meritonim”. Ne na u krijuan kushte optimale loje. Patëm një pritje shumë të mirë. Mendoj që kanë bërë maksimalen për ta organizuar mirë. I falenderova për organizimin pas lojës dhe i falenderoj edhe publikisht”, ka deklaruar Armand Duka./Sport Ekspres/