“Ju premtoj që do të vrapoj si qen”, Morata harron Juventusin: Milani është Milani, vështirë të gjesh klub me këtë organizim

Alvaro Morata është prezantuar sot si lojtari më i ri i Milanit. Sulmuesi spanjoll ka shprehur kënaqësinë e tij në konferencën për shtyp. Kampioni i Europës nuk ka premtuar tituj për tifozët, por është zotuar se do të vrapojë i palodhur në fushën e lojës. Morata ka shtuar se kritikat nuk do t’i ketë aspak problem, pasi është mësuar t’i dëgjojë shpesh gjatë karrierës së tij. Gjatë konferencës ish-lojtari i Juventusit ka vlerësuar maksimalisht Milanin, të cilin e quan një klub me organizim të rrallë.

“I falenderoj të gjithë ata që më sollën këtu. Kam pasur disa shanse që të kthehem në Itali vitet e fundit, por sapo më thirri Zllatani, fola me drejtuesit dhe trajnerin, nuk mendoja më për asgjë. Është skuadra që më donte më shumë, ata bënë më shumë përpjekje. Në Kampionatin Europian, më dukej sikur isha lojtar i Milanit. Kam nevojë për ndjesitë dhe besimin, nuk e kam problem të dëgjoj gjëra nga të tjerët.

Nëse një ditë vjen Ibrahimoviçi dhe më thotë që po bëj një m*t, shpresoj që të mos ndodhë, nuk do të kem ndonjë problem. Ata më kanë treguar besim. Kam dëgjuar shumë herë që Milani është Milani. Është e vështirë të gjesh një klub me këtë organizim. Pres me padurim për të dalë në fushë, nuk mund të premtoj tituj, por premtoj se do të vrapoj si qen, qoftë edhe vetëm për të bërë presion”, ka deklaruar Alvaro Morata./Halit Delibashi-Sport Ekspres/