Juventusi shkon pa asnjë fitore drejt sezonit të ri, Tiago Motën e pret një punë e vështirë te bardhezinjtë

Juventusi gjendet në një fazë tranzicioni. Alegri u shkarkua nga detyra pas rezultateve negative të javëve të fundit të kampionatit dhe në krye të pankinës erdhi një emër i ri në skenën e trajnerëve. Bëhet fjalë për Tiago Motën, te i cili drejtuesit e klubit bardhezi kanë besimin se do të ndërtojë një projekt serioz dhe të suksesshëm, duke marrë shkas nga puna mbresëlënëse që kreu në sezonin e shkuar në krye të Bolonjës.

Por përvoja e re te Juventusi nuk duket aspak e lehtë për të. Tiago Motës i duhet kohë për të vënë në jetë filozofinë e tij të lojës. Përgjigja e marrë nga faza përgatitore nuk ka qenë pozitive. Në tre miqësoret e zhvilluara kundër Nyrembergut, Brestit dhe Atletikos së Madridit, bardhezinjtë kanë marrë dy humbje dhe vetëm një barazim. E vetmja fitore erdhi në takimin e zhvilluar brenda familjes kundër ekipit B, që zgjati më pak se 60 minuta.

Tashmë eksperimentet kanë përfunduar dhe ndeshja e radhës do të jetë testi i së vërtetës për Tiago Motën dhe lojtarët e tij. Juventusi nis sezonin e ri kundër Komos më 19 gusht, ku sigurisht që drejtuesit dhe tifozët presin vetëm një rezultat, fitoren./Halit Delibashi-Sport Ekspres/