“Ka 92% saktësi mes 1315 pasimeve”! Media italiane e sheh ndryshe: Interi duhet t’i besojë Asllanit, shifrat flasin për të 

Kristjan Asllani po përgatitej për t’u larguar nga Interi, por ndryshimi i trajnerit mund të hap një shteg të ri për shqiptarin. Dihet që cdo trajner i ri që shkon në nivelet më të larta të futbollit dhe në ekipet elitare, gjithmonë kërkon shndërrimin e një futbollisti që më parë nuk ka marrë besim, për të pasur një fitore të parë tek tifozët. Pra për të treguar se ka bërë një punë ndryshe nga trajneri paaradhës, duke ndryshuar nivelin e lojës të disa lojtarëve të caktuar. 

E parë në këtë prizëm, Asllani do të luftojë shumë në Botërorin e klubeve për të qenë një mes këtyre emrave, por sesa do ta arrijë, koha do ta tregojë dhe në fund Chivu do të marrë vendimin e tij. Së fundmi është “CalcioStyle” që ka shkruar një artikull për Kristjan Asllanin, por ndryshe nga të tjerët, në frymën që shqiptari duhet të qëndrojë dhe të vazhdojë të jetë pjesë e Interit. CalcioStyle shkruan se mesfushori shqiptar ka 92% saktësi pasimesh mes 1315 pasimeve të dhëna në të gjitha garat dhe se nuk hoqi dorë kurrë nga Interi, por luftoi fort për një pozicion titullari duke refuzuar huazimet në të gjitha vendet e tjera. Botërori i klubeve duket “treni i fundit”, a do të arrijë Asllani që ta kap atë? /Sport Ekspres/