Kristjan Shpendi është në qendër të vëmendjes në mediat italiane. Sulmuesi shqiptar po vazhdon rritjen e tij në karrierë, teksa po shkëlqen duke shënuar edhe në Serinë B. Këshilltari i Çezenës, Masimo Agostini, ka folur më hollësisht rreth 21-vjeçarit në një intervistë për “CalcioNapoli24 TV”. Ish-lojtari i Napolit i ka thurur elozhe Shpendit, të cilin e quan një sulmues modern me etikë pune dhe ambicie për të luajtur në klube të mëdha.
“Kristiani është një sulmues modern. Ai ka etikën e punës dhe ambicien për të arritur klube të mëdha. Në thuajse 2 vite ai ka shënuar 30 gola. Por përjeton një kampionat të shkëlqyer, që po e sheh atë si protagonist për herë të parë. Për mënyrën se si luan dhe se si ai është i ndërtuar, mendoj se po tundon shumë skuadra. Por tani ai është me ne dhe duhet të na japë një dorë të madhe për të prekur zonën e sigurisë. Në qershor do të shohim se ç’do të bëhet me të. Është një lojtar i rëndësishëm për ne. Nuk do të lëvizë në janar, pasi duhet të vazhdojë rrugën e tij të rritjes.
Shpendi te Napoli? Skuadrat e mëdha janë gjithmonë të vështira. Ai luan më mirë atje ku e ndjen ngrohtësinë dhe ku ka tifozeri më të mirë. Ka një personalitet të pabesueshëm. Nuk ka frikë të luajë në zona të vështira. E bën të duket sikur është e thjeshtë, edhe pse është i bekuar me teknikë të shkëlqyer. Në vitet e ardhshme do të përshtatet në klube të mëdha”, ka deklaruar Masimo Agostini./Sport Ekspres/